29/08/2023
Një artefakt i çmuar që i mungon trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe kulturës së zhvilluar dardane që prej vitit 1876. E njohur si "Vrapuesja e Prizrenit", ky eksponat vlerëplot i artit antik ekspozohet në Muzeun Britanik në Londër. Objekti është zbuluar në Prizren në fundin e shekullit të XIX dhe që atëhere është përvetësuar prej Muzeut Britanik. Ky muze në përbërjen e tij ka më së shumti artefakte nga kultura të mbarë botës së qytetëruar sesa objekte të kulturës britanike. Ndaj do ti shkonte më për shtat emri "Muzeu Kolonialist i Perandorisë Britanike".
Në shpjegimin që ky muze i bën "Vrapueses së Prizrenit" në Web thuhet se: Ky objekt duhet të jetë prodhuar në rajonin Lakonik të Peleponezit aty ku ndodhej qytet-shteti i Spartës dhe më pas është eksportuar në Dardani. Pra sipas Muzeut Britanik ky objekt i përket qytetërimit helen. Argumenti bazë i ngritur për këtë hamendësim lidhet me tezën se: "Atletët në botën greke ishin kryesisht meshkuj, dhe për këtë arsye një vajzë duke vrapuar është diçka e rrallë. Megjithatë, Sparta e lashtë kishte një traditë në bazë të së cilës vajzat gjithashtu mund të merrnin pjesë në gara atletike.
Por a e di Muzeu Britanik se lojërat sportive kanë qenë mjaft të zhvilluara edhe në qytetërimin Ilir? Këtë e dëshmojnë strukturat arkitektonike të botës ilire si: Stadiumi i Amantias, Stadiumi i Bylisit, apo më vonë amfiteatri i Dyrrahut, etj. Gjithashtu një sër artefaktesh arkeologjike si p.sh: (Kleosteni i Epidamnusit i cili ishte fitues në garat me karrocë në Olimpiadën e 66-të në vitin 516 P.e.s).
Nëse realiteti sportiv ilir nuk njihet prej tyre, a e njeh Muzeu Britanik rolin dhe të drejtat që gruaja ilire gëzonte në antikitet? Ndryshe nga gruaja greke e cila funksion të vetëm kishte atë të shtëpiakes, gruaja ilire gëzonte të drejtën për të drejtuar, liruar skllevër dhe për tu ulur në bankete me burrat si e barabartë.
Pra në një kontekst të zhvilluar sportiv, me gra që gëzonin të drejta të plota, a nuk duhet menduar se "Vrapuesja e Prizrenit" rafiguron imazhin e një atleteje vendase dhe jo atë të një kulture të importuar?