05/06/2026
Universiteti i Prishtinës dhe Cacttus kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim strategjik në fushën e transformimit digjital, inovacionit dhe zhvillimit akademik.
Ky partneritet synon forcimin e kompetencave digjitale dhe kapaciteteve inovative në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe ndërmarrësi, duke përfshirë fusha si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, teknologjitë inteligjente, sistemet e bazuara në të dhëna dhe qëndrueshmëria digjitale.
Bashkëpunimi do të ketë karakter multidisiplinar, me përfshirjen e disa njësive akademike të UP-së, përfshirë edhe mundësitë e bashkëpunimit me Qendrën për Inteligjencë Artificiale në Universitetin e Prishtinës (AIUP) dhe Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në aplikimin e teknologjive inteligjente për identifikimin e dëmtuesve të kulturave bujqësore.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, dhe kryesuesi i Bordit të Cacttus, z. Armend Malazogu, të cilët theksuan rëndësinë e fuqizimit të partneritetit ndërmjet akademisë dhe sektorit të teknologjisë për zhvillimin e projekteve me ndikim lokal, qendror dhe ndërkombëtar.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të digjitalizimit, inovacionit dhe kërkimit shkencor në Kosovë.